Letra Informative 2

December 21, 2017

Projekti EU SIMRAES 2 i përkrah nxënësit e nivelit parafillor, fillor dhe të mesëm të ulët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian me pako shkollore që ofrohen në fillim të vitit shkollor. Qëllimi i ofrimit të këtyre pakove shkollore, që përbëjnë 18 artikuj të ndryshëm si çanta shkollore, lapsa, fletore të ndryshme, ngjyra, fletë vizatimi, sete gjeometrike e artikuj të tjerë të nevojshëm, është që fëmijët të kenë ndihmën e nevojshme për të zhvilluar aktivitetet mësimore gjatë vitit shkollor.

Gjatë muajit shtator 2017, është bërë shpërndarja e pakove shkollore për 1500 nxënës për vitin shkollor 2017/18 në kuadër të projektit EU SIMRAES 2.

Shpërndarja e këtyre pakove është bërë për fëmijët e nivelit parafillor, fillor dhe të mesëm të ulët të cilët vijojnë programet edukativo-arsimore në 10 qendrat mësimore në vijim:

  1. Qendra mësimore në Brekoc, Gjakovë
  2. Qendra mësimore “Haziz Tola”, Prizren
  3. Qendra mësimore “Dy Dëshmorët”, Piranë
  4. Qendra mësimore Fushë Kosovë
  5. Qendra mësimore, fshati Plemetin, Obiliq
  6. Qendra mësimore te ndërtesa sociale Plemetin, Obiliq
  7. Qendra mësimore Mitrovicë
  8. Qendra mësimore Rahovec
  9. Qendra mësimore Gurrakoc, Istog
  10. Qendra mësimore Serbobran, Istog

Këto ngjarje janë mbështetur nga zyrtarët e DKA-ve, zyrtarët për komunitete, mediet, drejtorët e shkollave në të cilat vijojnë mësimet fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit, të cilët u kanë uruar fëmijëve një vit të mbarë shkollor.

Përpos ndihmës me materiale, këta fëmijë mbështeten edhe përmes programit “Ndihmë në detyra të shtëpisë”, programeve ndërkulturore dhe programeve tjera jashtëshkollore të ofruara nga qendrat mësimore të lartcekura, implementuar nga projekti EU SIMRAES 2.

Zhvillimi i kapaciteteve profesionale të anëtarëve të organizatave partnere

Një komponent i rëndësishëm i projektit EU SIMRAES 2 është rrjetëzimi i organizatave partnere që punojnë në arsimimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Në kuadër të këtij komponenti, një aspekt i rëndësishëm është zhvillimi i kapaciteteve profesionale të anëtarëve të këtyre organizatave që të përmirësojnë shërbimet në komunitet.

Në këtë drejtim, projekti ka bashkuar forcat me projektin Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim (KEEN) në ofrimin e disa programeve të trajnimit për anëtarët e organizatave të shoqërisë civile, pjesë e të cilave janë edhe organizatat partnere të projektit EU SIMRAES 2: Nevo Koncepti (NVK), Syri i Vizionit (SiV), Balkan Sunflowers Kosova (BSFK), SHL-Kosova, Roma and Ashkali Documentation Center (RADC), Bethany Christian Services (BCS), Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Trajnimet e ofruara në bashkëpunim me KEEN janë: Cikli i zhvillimit të politikave; Planifikimi strategjik dhe buxhetor; Metodat e hulumtimit; Avokimi dhe monitorimi. Për t’i bërë më të qëndrueshme këto kapacitete dhe me qëllim të shpërndarjes së këtyre njohurive e shkathtësive edhe te stafi tjetër i këtyre organizatave, është hartuar një udhëzues praktik për avokimin dhe pjesëmarrjen në hartimin e politikave. Ky udhëzues përmban mjete, shembuj dhe praktika të mira të nismave avokuese dhe mënyrave të shtrirjes së ndikimit në bërjen e politikave.

Në një bashkëpunim tjetër me projektin Prospect +, janë mbajtur punëtori me menaxhmentin e organizatave partnere dhe stafin e qendrave mësimore me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të tyre në fushën e kornizës së monitorimit dhe punës me tregues të suksesit.

Në nivel të projektit, janë ofruar trajnime të ndryshme për stafin e qendrave mësimore dhe mësimdhënësit, të cilat kanë për qëllim ofrimin e njohurive mbi metodologji të punës me fëmijë. Pas trajnimit fillestar, stafi i qendrave dhe mësimdhënësit kanë ndjekur edhe fazën avancuese të trajnimit, nga e cila kanë përfituar njohuri shtesë mbi planifikimin e punës në qendra të aktivitetit. Gjithsej janë trajnuar 147 pjesëmarrës në 7 grupe të trajnimit të organizuara në periudhën qershor-gusht 2017.

Udhëzimi administrativ 12/2017 për Themelimin dhe Funksionimin e Qendrave Mësimore

Projekti EU SIMRAES 2 është angazhuar në kuadër të nismës së mbi 20 organizatave të shoqërisë civile për krijuar një bazë ligjore për veprimtarinë e qendrave mësimore. Kjo nismë është koordinuar nga projekti KOSINT 2020, përmes punëtorive me pjesëmarrje të të gjitha palëve relevante, nga të cilat si produkt doli drafti i udhëzimit administrativ për qendrat mësimore. Pas ofrimit të ekspertizës nga këto organizata që administrojnë qendra mësimore, është finalizuar dokumenti i udhëzimit administrativ, dhe si i tillë, i është ofruar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) për miratim. Udhëzimi në fjalë është miratuar nga MAShT më 25 gusht 2017 dhe përmban këto pika kryesore:

  • Përkufizimi, roli dhe kushtet
  • Programet e qendrave mësimore
  • Personeli
  • Licencimi
  • Raportimi dhe transparenca
  • Financimi dhe buxheti

Projekti EU SIMRAES 2 ka ofruar ekspertizën e krijuar sa i përket operimit të qendrave mësimore, ekspertizë kjo e krijuar në projektin paraprak EU SIMRAES dhe e zhvilluar më tutje në këtë projekt.

Në shtator 2017, është organizuar një punëtori me organizatat të cilat operojnë me qendra mësimore, për të diskutuar mënyrat e zbatimit të këtij udhëzimi administrativ, obligimeve që dalin për vetë organizatat dhe pritjeve nga MAShT.  

Programi i bursave dhe mentorimit për nxënësit e shkollave të mesme të larta

Edhe këtë vit, donatorët që ofrojnë bursa për nxënësit e shkollave të mesme të larta nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, kanë punuar së bashku në procesin e ofrimit të bursave. I gjithë procesi është koordinuar nga MAShT. Partnerët (MAShT, KFOS, REF dhe VoRAE)  kanë përcaktuar kriteret për përfitues të bursave dhe e kanë bërë shpalljen publike për aplikime. Gjithsej 724 aplikime janë pranuar nga komisioni i përbashkët i bursave. Të gjitha aplikimet janë regjistruar në Sistemin për Menaxhimin e Informatave, një platformë e përbashkët elektronike për menaxhimin e procesit të bursave. Nga këto aplikime, janë përzgjedhur 506 përfitues mbi bazën e kritereve të përcaktuara. Në kuadër të këtyre bursave, projekti EU SIMRAES 2 ofron 200 bursa së bashku me MAShT.

Përfituesit e bursave do të përcjellen gjatë gjithë vitit shkollor për vijueshmëri të rregullt dhe rezultate të të nxënit. Së paku 100 nga 200 bursistët e projektit do të përfitojnë nga programi i mentorimit dhe do të përcjellen për së afërmi nga mësimdhënësit/mentorët përmes takimeve të rregullta.

Bursistët e projektit EU SIMRAES – kontribues në shoqërinë kosovare

Projekti EU SIMRAES ishte projekt pararendës i projektit EU SIMRAES 2. Ky projekt është zbatuar në periudhën 2010 – 2013 dhe në kuadër të tij për dy vjet kanë përfituar bursa 200 nxënës të shkollave të mesme të larta, si dhe 20 studentë. Të gjithë këta përfitues kanë qenë pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Projekti u takua me Denis Galushin, njërin nga nxënësit përfitues të bursave në ato vite. Me të u zhvillua një intervistë për të kuptuar se si e ka gjetur veten në shoqërinë kosovare.

Në vazhdim është intervista e zhvilluar me Denisin

EU SIMRAES 2: Denis, me çfarë merresh aktualisht?

Denisi: Që tre vjet punoj në RTK – Radio Kosova, programi në gjuhën rome, në kuadër të së cilit çdo ditë transmetohen lajme nga vendi, rajoni dhe bota, si dhe emisione autoriale që kanë për qëllim për t’i informuar dhe edukuar romët mbi gjuhën, identitetin, kulturën dhe historinë rome.

EU SIMRAES 2: Pse ke vendosur të merresh me gazetari?

Nuk besoj që ekziston ndonjë vend më i mirë ku mund të lobosh, avokosh, vetëdijesosh dhe informosh popullin më mirë sesa përmes medias, marrë parasysh që komuniteti rom në shumicën e rasteve përballet me paragjykime dhe stereotipe. Në shumicën e rasteve nëpër media shfaqet vetëm imazh i njëanshëm për komunitetin tonë, I llojit të tillë si ‘’duke kërkuar lemoshë dhe dukë qëndruar pranë semaforëve’’. Kjo është arsyeja që më ka shtyrë që ta zgjedh gazetarinë si rrugë për t’i hedhur poshtë paragjykimet për komunitetin, e poashtu për t’i treguar botës që romët kanë lënë shumë gjurmë në kinematografinë botërore, politikë, kulturë, art, sport e fusha tjera dhe nuk janë vetëm ‘’semaforat dhe kontenierët’’ që e karakterizojnë këtë komunitet.

Sot, në Kosovë kemi rom të profesioneve të ndryshme si: gjykatës, doktorë, policë, profesorë, juristë, fizioterapeutë, edukatorë, gazetarë, ekonomistë, etj. Për ketë arsye e kam zgjedhur rrugën e gazetarisë, për të përcjellë ‘’pasurinë e shkrimit dhe informimit’’ te komuniteti im.

EU SIMRAES 2: Cila ka qenë rruga jote e edukimit deri tash?

Shkollën fillore e kam përfunduar në shkollën ”Motrat Qiriazi’’ në Prizren, për të vazhduar më pas gjimnazin e përgjithshëm ‘’Gjon Buzuku’’, dhe tani jam pranë diplomimit në fushën e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Universitetin AAB, në Prishtinë.  

EU SIMRAES 2: Përtej punës në radio, a ke angazhime që lidhen me komunitetin?

Qysh si gjimnazist kam filluar të merrem me vullnetarizëm dhe aktivizëm nëpër OJQ të ndryshme. Poashtu, kam qenë pjesë e Teatrit Rom të Prizrenit, ku me shfaqje të ndryshme kemi arritur t’i vetëdijesojmë të tjerët për kulturën e pasur të komunitetit rom. “Kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta”. Kjo fjalë e Niçes, më ka shtyrë që përmes artit t’ua pasqyrojmë të tjerëve jetën tonë. Pra, gazetaria dhe arti për mua janë dhe mbeten “shkopi magjik” për t’i zgjuar të tjerët nga gjumi i rëndë i paragjykimit.

Artikulli im ‘’Holokausti i bëri romët më të fortë’’, i cili është publikuar në shumicën e portaleve të Kosovës, ka bërë që të përzgjedhem si Lider i Grupit të Kosovës nga organizata Advancing Together, që ta vizitoj  muzeun e Aushëitzit në Poloni,  ‘’Kampin e Vdekjes – Birkernau’’, me rastin e shënimit të 2 Gushtit – Dita Perkujtimore e Gjenocidit ndaj romëve. Si lider i grupit kam insistuar të përzgjedhen jo vetëm pjesëtarët e komunitet rom për këtë vizitë, por edhe ata të komunitetit shumicë, këtë rast shqiptar, me arsyen që të gjithë ta njohin historinë, vuajtjet, keqtrajtimet, me një fjalë holokaustin e bërë romëvë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

krahas organizatave që merren më çështjen e romëve, marr pjesë edhe në ato jorome. sepse, e shoh veten si shtetas të kosovës dhe jo vetëm si rom. Pra, unë mund të kontribuoj në shumë fusha të jetës për të mirën e këtij vendi. Nuk duhet të kemi barriera dhe të themi ”ju dhe ata”, por të gjithë jemi “ne”.

EU SIMRAES 2: Ti qenë njeri ndër përfituesit e bursave në kuadër të projektit EU SIMRAES para disa vitesh. Nga përvoja jote e atëhershme, si dhe nga perspektiva e sotshme, çfarë kuptimi ka pasur kjo përkrahje për ty?

T’ua them të drejtën, shumica e shokëve joromë na kanë lakmi për mundesitë që na ofrohen në fushën e arsimimit. Shumica prej nesh përfitojmë bursa gjatë shkollimit, dhe kjo na hap dyert dhe na stimulon më tepër që t’i ngrisim kapacitetet tona akademike. Për fat të mirë, shkaku i suksesit të shkëlqyeshëm gjatë shkollës së mesme, çdo herë kam qenë përfitues i rregullt i bursës nga organizata të ndryshme që merren më çështjën e romëve. Bursa e ofruar nga EU SIMRAES ka dy role të veçanta: 1. Stimulim i nxënësve për vazdhimin e shkollimit: 2. Duke i stimuluar nxënësit, po ashtu u jep vetëbesim dhe krenari që ata të mos e fshehin identitetin e tyre.

EU SIMRAES 2: Cili është mesazhi yt për të rinjtë, nxënësit e shkollave në Kosovë, sidomos për ata që i përkasin komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian?

Mos u ndieni asnjëhërë si komunitet apo pakicë e këtij vendi. Ju jeni Kosova, ju jeni e ardhmja. Fokusohuni në shkollim sepse, një ditë do të vlerësoheni për profesionalizmin e juaj dhe jo për përkatësisë etnike. Kokën lart, e mos u ndalni!

Implementues: