Letra Informative 3

September 24, 2018

Puna e qendrave mësimore jep rezultate të dukshme

Në kuadër të projektit EU SIMRAES 2 operojnë 10 qendra mësimore në lokalitete ku jetojnë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Stafi i këtyre qendrave mësimore me punën e vet ka bërë ndryshime të dukshme pozitive përmes adresimit të nevojave arsimore të fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, por edhe të fëmijëve tjerë të këtyre lokaliteteve. Mbështetja themelore që u ofrohet këtyre fëmijëve është mbështetja në kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe mësimit shtesë të bazuar në nevojat individuale të fëmijëve. Më tutje, qendrat mësimore në bashkëpunim me shkollat dhe me vet komunitetin ndihmojnë në integrimin më të mirë të të gjitha komuniteteve në lokalitetet ku operojnë qendrat, përmes organizimit të aktiviteteve ndërkulturore. Qendrat kontribuojnë edhe me fushata ndërgjegjësimi të komuniteteve për çështje arsimore, duke rritur shkallën e regjistrimit në arsimin parafillor e fillor. Ekipet e ndërmjetësimit në komunitet kontribuojnë në identifikimin e të gjithë fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që kryejnë shkollimin e obligueshëm dhe sipas një plani të ndërmjetësimit lehtësojnë procesin e regjistrimit të tyre në shkollimin e mesëm të lartë. Përfundimisht, qendrat janë promotore të bashkëpunimit, pasi e lehtësojnë komunikimin në mes të shkollave, prindërve dhe komunitetit, si dhe organizatave joqeveritare e komunitetit donator.

Disa nga rezultatet konkrete të punës së stafit të qendrave mësimore nën ombrellën e projektit EU SIMRAES 2 jepen në vijim:

  • Mbi 1500 është numri i përfituesve të projektit EU SIMRAES 2 në këto 10 qendra mësimore. Ky numër është dyfish më i madh se numri i planifikuar.
  • Janë ofruar trajnime për stafin e qendrave mësimore, por edhe për prindërit dhe mësimdhënësit e shkollave në afërsi të qendrave. Mbi 500 është numri i pjesëmarrësve në këto trajnime.
  • Janë kryer mbi 200 vizita monitoruese në 10 qendra mësimore për t’u ofruar këshillim profesional dhe mentorim stafit të qendrave mësimore dhe mësimdhënësve të shkollave ku veprojnë këto qendra.
  • Mbi bazën e nevojave, 5 qendra mësimore janë renovuar për të ofruar kushte më të mira, ndërsa në baza të rregullta të gjitha qendrat mësimore janë furnizuar me materiale didaktike për të lehtësuar ofrimin e mësimit plotësues.
  • 5 nga 10 qendrat mësimore janë integruar në shkollë, duke i kontribuar kohezionit të ofrimit të shërbimeve arsimore në shkolla dhe qendra mësimore.
  • Vijueshmëria në nivelin parafillor është rritur në 89.5% (që është mbi nivelin e vendit) ndërsa është arritur 91.62% e vijueshmërisë në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët.
  • Është rritur nota mesatare e nxënësve në lokalitetet ku operojnë qendrat mësimore dhe është zvogëluar hendeku i arritjeve mësimore ndërmjet komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian me komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë.
  • Më shumë se 80% të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian të rikthyer nga vendet e perëndimit janë integruar dhe kanë filluar procesin e rregullt shkollor.
  • Mbi 80% e prindërve dhe e mësimdhënësve janë përfshirë në aktivitetet e organizuara nga 10 qendrat mësimore që i mbështet projekti.
  • Janë identifikuar të gjithë nxënësit e klasave të nënta nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, dhe përmes ndërmjetësuesve është lehtësuar procesi i regjistrimit të tyre në shkollat e mesme të larta. Kjo ka rritur shkallën e tranzicionit të nxënësve të këtyre komuniteteve nga arsimi i obligueshëm në arsimin e mesëm të lartë.

Fushatat vetëdijësuese për edukim

Projekti EU SIMRAES 2 ka punuar ngushtë me aktivistët e komunitetit, tutorët, mediatorët, shkollat, DKA-të dhe OJQ-të tjera për t’u siguruar që procesi i regjistrimit për vitin shkollor 2018/19 të jetë sa më i suksesshëm. Fushatat vetëdijësuese janë organizuar në forma të ndryshme përfshirë takimet derë më derë, takimet me prindër, takimet nëpër lagje dhe takimet me fëmijë.  Në këto takime është bërë edhe shpërndarja e posterëve, broshurave dhe fletëpalosjeve me qëllim të ofrimit të informatave rreth rëndësisë së shkollimit, regjistrimit me kohë në shkollë si dhe dokumenteve të nevojshme për regjistrim. Stafi i qendrave mësimore u ka ofruar ndihmë nxënësve dhe familjeve në kompletimin e këtyre dokumenteve.

Gjatë muajit qershor të gjitha qendrat mësimore të projektit kanë organizuar aktivitete ndërkulturore për 1 qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ku mbi 1000 fëmijë dhe 300 prindër kanë qenë pjesëmarrës. Aktivitetet për nder të 1 qershorit kanë përfshirë lojëra të ndryshme, vizatime, recitale, diskutime dhe ligjërata rreth të drejtave të fëmijëve dhe kanë qenë të disenjuara në atë formë për të mbledhur sa më shumë familje dhe në të njëjtën kohë për t’i informuar ato mbi rëndësinë e regjistrimit në shkollë.

Aktivitetet e organizuara në kuadër të fushatave vetëdijësuese mbi edukimin e fëmijëve kanë rezultuar në identifikimin e të gjithë fëmijëve për regjistrim në 10 lokalitetet ku vepron projekti.

Përmbyllja e programit të bursave dhe mentorimit për vitin shkollor 2017/18

U përmbyll edhe një vit i programit të bursave dhe mentorimit, në bashkëpunim me donatorët tjerë që ofrojnë bursa për nxënësit e shkollave të mesme të larta nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, dhe nën koordinim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Programi i bursave dhe mentorimit ka për qëllim që nxënësve të shkollave të mesme të larta nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian t’u ofrojë mbështetje në vijimin e rregullt dhe në përmirësimin e rezultateve mësimore.

Edhe për vitin shkollor 2017/18 projekti EU SIMRAES 2 ka ndarë 200 bursa në lartësi prej 300 EUR. Përveç kësaj, është ofruar programi i mentorimit për 114 nxënës përfitues të bursave. Në programin e mentorimit janë angazhuar 23 mësimdhënës mentorë që kanë punuar me këta nxënës dhe me familjet e tyre, për të adresuar nevojat mësimore të nxënësve të mentoruar.

Programi i bursave dhe mentorimit këtë vit ka rezultuar me përmirësim të vijueshmërisë, parandalim të rasteve të braktisjes ndër përfituesit si dhe me përmirësim të notës mesatare të tyre.

Mësimdhënësit mentorë, mbështetje shtesë për nxënësit dhe familjet e tyre

Projekti EU SIMRAES 2 në kuadër të programit të bursave dhe mentorimit bashkëpunon me mbi 20 mësimdhënës të shkollave të mesme, të cilët janë të angazhuar në mbështetjen e nxënësve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe familjeve të tyre që të tejkalojnë problemet e vijueshmërisë dhe rezultateve të të nxënit.

Violeta është njëra nga mentoret e dalluara të programit, që ka treguar kreativitet dhe përkushtim në punën e saj.  Projekti mbajti një takim reflektues me Violetën, i cili takim u zhvillua në formë të një interviste. Në vazhdim është intervista me Violetën

EU SIMRAES 2: Violetë, cila është përvoja juaj me mentorimin?

VIOLETA: Ky është viti i dytë që e zhvillojmë programin e mentorimit. Përvoja ime si profesoreshë në shkollën teknike është 27 vjeçare. Gjithnjë kam punuar me nxënësit nga minoritetet dhe me nxënësit me arritje më të dobëta. Mendoj se kam pasur sukses meqë i kam afruar gjithmonë nxënësit. Pra, përvoja dhe interesimi im që nxënësit të përmirësohen ka bërë që të mundem të jem edhe mentore. Gjithnjë kam pasur gatishmëri për t’u ofruar nxënësve kohë shtesë. Për të qenë profesor i mirë, duhet të jesh njeri i mirë. Si profesoreshë e artit, edhe në vizatimet e tyre unë e vërej karakterin dhe problemet e nxënësve. Ata i transmetojnë të gjitha problemet në shkollë. Prandaj edhe unë jam angazhuar që t’i përfshij sa më shumë në aktivitete, sidomos në art: ata vizatojnë, punojnë, qepin në makina në kabinet dhe kështu ndihen të trajtuar mirë dhe e ndiejnë përkushtimin tim për t’u ofruar hapësirë të veçantë.

EU SIMRAES 2: A ju duket i mirë programi i mentorimit për t’u ofruar këtë lloj ndihme nxënësve? Pra, a është program në formë të strukturuar?

VIOLETA: Programi i mentorimit na ka ndihmuar shumë për t’u marrë individualisht me nxënës. Secili mentor i ka 5 nxënës të cilëve u ofron mentorim dhe ky është numër optimal, që lejon adresim të nevojave individuale të nxënësve të mentoruar dhe familjeve të tyre. Po jua jap një shembull të një vajze nën mentorim e cila ka pasur problem dhe nuk lejohej nga prindërit që të vazhdojë shkollën. Unë jam angazhuar duke kontaktuar me prindërit, dhe ata e kanë rikthyer vajzën në shkollë nga respekti që kanë për mua si mentore. Pra, thjesht si profesoreshë nuk e di a do të mund të bëja një gjë të tillë, por mentorimi si program i veçantë ma ka dhënë këtë mundësi.

EU SIMRAES 2: A keni ndonjë tregim të veçantë nga përvoja juaj si mentore? Ndonjë praktikë të mirë?

VIOLETA: Si mentore kam komunikuar me fabrikën e tekstilit “Kreativ”, e cila u ka mundësuar 5 nxënësve (2 nga të cilët nxënës që unë i kisha nën mentorim) që ta bëjnë praktikën aty. Pra mentorimi duhet të shërbejë si një bazë nga ku nxënësit do të gjejnë aktivitete shtesë, si sport apo aktivitete tjera. Rasti i praktikës në “Kreativ” është një shembull shumë i mirë se si integrohen në punë nxënësit. Por edhe ndonjë investim, p.sh makinë qepjeje për shkollën do t’u mundësonte nxënësve që të bëhen të vetëpunësueshëm. Ne tashmë e kemi fituar një projekt për furnizim me pajisje: makinë, laptop dhe pajisje tjera të qepjes.

EU SIMRAES 2: Çka shohin si përfitim nxënësit në kuadër të mentorimit?

VIOLETA: Ka ndryshim në sukses, pastaj në vijueshmëri. Unë tërë kohën i kam nxitur nxënësit që të vijnë në shkollë duke ua përshtatur edhe temat e takimeve sipas interesit të tyre. Suksesi i tyre është poashtu i kënaqshëm. Si mentorë, meqë punojmë më 5 individë mund të arrijmë më shumë sepse u përkushtohemi në bazë të nevojave të tyre individuale. Nxënësit kështu bëhen pjesë e jona dhe të pandashëm duke i ndarë të gjitha. Ata e vlerësojnë këtë marrëdhënie.

EU SIMRAES 2: A keni mbështetje nga drejtori dhe kolegët tjerë mësimdhënës?

VIOLETA: E kemi pasur mbështetjen nga drejtori dhe kolegët tjerë sidomos rreth suksesit. Kemi funksionuar si një trekëndësh për të zgjidhur problemet që nxënësit mund t’i kenë. Për më tepër, javë më parë bëmë një torte për t’u uruar suksese të metejshme maturantëve që po i përcjellim. Të gjithë u ndamë të kënaqur.

EU SIMRAES 2: Si e shihni funksionimin e programit në ndërlidhje me programin e bursave?

VIOLETA: Bursa është shumë domethënëse për nxënësit, meqë shumë prej tyre nuk i kanë kushtet e mira ekonomike. Ata i përdorin paratë për material shkollor, veshmbathje, transport, apo nevoja tjera në familje. Por, bursa duhet të rritet për t’i mbuluar më mirë nevojat e nxënësve. Bursat kanë efekt në aspektin e vijueshmërisë. Programi i mentorimit ka ndërlidhje me programin e bursave, sepse derisa bursat janë të drejtuara kah vijueshmëria, programi i mentorimit ku përfshihen nxënësit me vështirësi të të nxënit, e plotëson këtë në këndvështrim të ndihmës shtesë në rezultatet mësimore.

EU SIMRAES 2: Cilat kanë qenë përfitimet për ju si mentore në aspektin e zhvillimit profesional?

VIOLETA: Shkëmbimi i përvojave me mentorë tjerë dhe të qenit më afër me nxënësit e mentoruar më ka ndihmuar që t’i kuptoj më mirë nxënësit në përgjithësi dhe nevojat e tyre mësimore. Pra, jam më e përgatitur për t’i adresuar problemet e nxënësve përmes mësimdhënies dhe këshillimit. Në këtë drejtim më ka ndihmuar edhe pjesëmarrja në trajnimin për mentorë, të ofruar nga projekti EU SIMRAES 2.

EU SIMRAES 2: Ndonjë porosi për fund?

VIOLETA: Programi i mentorimit duhet të vazhdojë, derisa të jemi të siguruar që të mos ketë dallime ndërmjet nxënësve dhe të ketë integrim të plotë shoqëror. Mentorimi ka treguar se nxënësit janë më të socializuar, dhe janë pjesë e jetës shkollore në përgjithësi. Dy nxënëse të mentoruara janë në klasën ku unë jam kujdestare. Asnjëra nuk e ka asnjë mungesë sepse komunikimi me prindër është i rregullt. Ata na besojnë neve në punën që e bëjmë.

Implementues: